Sport

Shtyhet debutimi i Albin Tahirit në Lojërat Olimpike 

Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar se është shtyrë gara e skitarit Albin Tahiri në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Korenë Jugore. 

KOK-u thotë se shtyrja e garës është bërë për shkak të erërave të forta që po mbretërojnë në qendrën e skijimit Jangseon, transmeton Koha.net. Dita e mbajtjes së garës do të vendoset më vonë. 

Albin Tahiri, që është përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore, pritej të garonte në disiplinën lëshim i shpejtë sot rreth orës 04:30.

“Shtyhet gara në disiplinën lëshim i shpejtë, ku ishte paraparë të garonte skitari ynë, Albin Tahiri në LOD PyeongChang2018. Shkak për shtyrjen janë bërë erërat e forta të cilat po mbretërojnë në Qendrën Skitare Jangseon, rreth 40 km larg PyeongChangut. Sipas organizatorëve, gara nuk do të mbahet sot, kurse dita e mbajtjes së saj do të vendoset më vonë”, thuhet në konfirmimin e KOK-ut.