Kosova në Pyeongchang me një sportist e me një “brigadë zyrtarësh”

Kosova në Pyeongchang me një sportist e me një “brigadë zyrtarësh”

09 shkurt 2018 18:57

Pos pjesës zyrtare të delegacionit, që përbëhet nga skitari i vetëm i Kosovës, Albin Tahiri, trajneri Agim Pupovci, shefi i misionit Bujar Turjaka dhe përgjegjësi për informim Kushtrim Krasniqi, në Pyeongchang po qëndrojnë edhe plot zyrtarë të tjerë, shumica drejtues të KOK-ut.

Në Kore të Jugut janë kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm Shasivar Haxhijaj, nënkryetarët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtari i Bordit të KOK-ut, Avni Nuha dhe Skënder Krasniqi.

Të fundit që delegacionit të Kosovës iu bashkuan delegacionit ishin presidenti Hashim Thaçi së bashku me një këshilltar të tij.

Koha Ditore javën e shkuar raportoi se në Pyeongchang pritet të marrin pjesë 16 zyrtarë e një sportist.

Aktualisht janë një skitar dhe 11 zyrtarë, por numri mund të rritet.

Delegacioni i Kosovës ishte shumë i madh edhe në Rio në gushtin e vitit 2016, ndërsa të mëdha ishin edhe shpenzimet. Por u fol pak për to pas suksesit të Majlindës, përkatësisht medaljes së artë.

Ka gjasë që sërish për shpenzimet të mos mësohet shumë, debutimi do të vlerësohet si sukses i madh dhe do të shërbejë si “mbulesë” për të gjitha.

Shumica e anëtarëve të delegacionit po shijojnë atmosferën olimpike në Pyeongchangun e ftohtë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme