Sport

Salah i lumtur te Liverpooli, por nuk përjashton Realin

Anësori i Liverpoolit, Mohamed Salah ka mohuar lidhjet me Real Madridin, por nuk ka përjashtuar që në të ardhmen të kalojë në Bernabeu.

Egjiptiani është në një formë të jashtëzakonshme te klubi anglez, duke realizuar 28 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat.

“Nuk kam çfarë të them për këto raportime, por mund të konfirmoj se jam i lumtur te Liverpooli”, ka thënë Salah në një intervistë për gazetën “Marca”.

“Tani jam lojtar i Liverpoolit, dua të përqendrohem këtu dhe të përfundoj sezonin. E dua ligën angleze dhe stilin e lojës këtu. Kam realizuar shumë gola që është gjë e mirë për t’i ndihmuar ekipit që të fitojë trofe. Këto janë qëllimet e mia për momentin, por të shohim”, ka shtuar ai.

“Futbolli spanjoll? I kam shikuar disa ndeshje, sidomos kur nuk janë në orar me Liverpoolin, por ndeshjet kanë kualitet dhe futboll atraktiv”.