Sport

Jakupi, talenti i radhës nga Llapi

Bartë fanellën me numrin shtatë sikurse idhulli i tij, ylli portugez i Real Madridit, Cristiano Ronaldo dhe luan në pozitën e sulmuesit. Është ky futbollisti i ri i Llapit, Jon Jakupi që është pjesë e ekipit U-15, i cili pjesën vjeshtore e ka mbyllur në pozitën e parë në tabelë me 25 pikë pa asnjë humbje në Lidhjen Rajonale të futbollit të Prishtinës.

Ka tetë fitore dhe një barazim në nëntë ndeshje kurse sulmuesi Jakupi ka kontribuar me tetë gola në këtë sukses të Llapit. Ai hapat e parë i ka nisur te Llapi prej gjeneratës së fatosëve dhe shpreson që pas disa vjetësh të jetë pjesë edhe e ekipit të parë.

Trajneri i ekipit të parë të Llapit, Tahir Batatina është i kënaqur me punën që po bëhet tek gjeneratat e reja si dhe rezultatet që janë arritur. "Jemi ristrukruar dhe kemi sjellë trajnerë me përgatitje profesionale, të cilët janë të pajisur me licenca. Po ashtu, tek gjeneratat e reja kemi talente prej të cilëve presim shumë në të ardhmen", është shprehur Batatina që pret shumë nga Jakupi në të ardhmen.