Sport

Xhimshiti kritikohet për lëndimin e Mertensit

Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Xhimshiti, ka marrë kritika të shumta për ndërhyrjen e ashpër ndaj belgut Dries Mertens, i cili është golashënuesi më i mirë i Napolit këtë edicion në Serie A.

Mertens pritet të pauzojë për një kohë shkaku i lëndimit të nyjes së këmbës, të cilën ia shkaktoi Xhimshiti në ndeshjen mes Beneventos dhe Napolit, të zhvilluar të dielën mbrëma e që përfundoi me fitoren e ekipit mysafir (2:0).

Xhimshiti për këtë ndërhyrje u ndëshkua me karton të verdhë derisa ka qenë edhe cak i sulmeve të tifozëve të Napolit, të cilët e kanë akuzuar për dëmtimin e yllit kryesor të ekipit.

Mertens këtë edicion ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar 12 herë në 33 ndeshje për Napolin në të gjitha garat. Ndërkohë, Xhimshiti ka regjistruar ndeshjen e 15-të këtë edicion te Benevento.