Kosovën do ta gëzonte plasmani i Tahirit në 40 vendet më të mira të botës për skitari

Kosovën do ta gëzonte plasmani i Tahirit në 40 vendet më të mira të botës për skitari

05 shkurt 2018 18:03

Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë Kosova do të duhej të jetë e kënaqur nëse përfaqësuesi i saj në Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në Korenë e Jugut, skitari Albin Tahiri, arrin të renditet në mesin e 40 vendeve më të mira.

“Kemi të bëjmë me një sportist mjaft mirë të përgatitur, mjaft të përkushtuar dhe besoj se do ta prezantojë mirë vendin. Federata e Skitarisë parashikon që Tahiri do të renditet në mes të 27-30 më të mirëve të botës. Ne konsiderojmë se do të jetë diku mes 30 dhe 40 më të mirëve. Nëse hyn në mesin e 40 shteteve në botë kjo do të na gëzonte sepse ky është kapaciteti ynë”, ka thënë Hasani në “Express Intervistën” e ditën në KTV.

Hasani ka thënë se meqë kjo është pjesëmarrja e parë e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore, pa dyshim se kjo është një eksperiencë e re.

“Përgatitjet janë bërë me kohë dhe mjaftë mirë”, ka thënë Hasani.

Pranimin e flamurit nga i pari i shtetit, Hashim Thaçi, Hasani e cilësoi si një motiv shtesë për sportistin Tahiri.

“Është një praktikë e mirë e vendeve të botës, që ka simbolikën e vet të prezantimit të shtetit. Kjo padyshim se është motiv shtesë”, ka thënë ai.

Hasani ka folur edhe rreth delegacionit të gjerë të Kosovës me të cilin do të udhëtohet për në Kore. Atje do të shkojnë vetëm një sportist, që do të përcillet potencialisht nga 16 zyrtarë të shtetit.

Në “Express Intervistë”, Hasani ka arsyetuar këtë duke thënë se ata nuk shkojnë me shpenzime të Komitetit Olimpik të Kosovës. Hasani ka thënë se ai dhe sekretari i KOK-ut i kanë shpenzimet e paguara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Sipas tij, Bordi i KOK-ut ka miratuar kërkesën që të shkojnë dy anëtarë të Bordit, si dhe një sponsor, gjë që, siç ka thënë është praktikë edhe e komiteteve tjera. Shpenzimet për ta do t’i heq Kosova.

Koha Ditore ka raportuar ditë më parë se delegacioni i Kosovës në Azi mund të jetë deri në 16 zyrtarë të shtetit. Presidenca e Kosovës i ka 4 ftesa, Kryeministria 3 dhe Ministria e Sportit 2 të tjera. Gazeta kishte shkruar se si Albin Tahiri është skitari i vetëm nga Kosova që do të lëshohet shtigjeve të Pyeongchangut në Lojërat Olimpike Dimërore, por se ai nuk do ta ndiejë mungesën e përkrahjes.

Në Kore të Jugut, ku nga 9 deri më 25 të këtij muaji, do të mbahen LOD "Pyeongchang 2018", pritet të udhëtojë një delegacion i madh në numër i Kosovës. Me Tahirin do të udhëtojnë trajneri Agim Pupovci, shefi i misionit Bujar Turjaka dhe Kushtrim Krasniqi. Kjo katërshe do të vendoset në Fshatin Olimpik, kishte shkruar gazeta. Të tjerët do të vendosen nëpër hotele.

Hasani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka thënë se do të provojë të jetë në ceremoninë e hapjes së këtyre Lojërave në Kore pas lutjeve të mëngjesit në SHBA.

“Por kjo nuk ka të bëjë asgjë me neve. Z. Thaçi atje vjen vet”, ka thënë Hasani, teksa ka treguar se Haradinaj u kishte thënë më herët se agjenda nuk e lejon që të jetë prezent.

Sipas Hasanit, zyrtarët nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë akredituar, por nuk dihet ende nëse ata do të shkojnë.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë artikullin e Kohës Ditore, i botuar të enjten e javës së shkuar:

Kosova shkon në Kore të Jugut me 1 garues e 16 zyrtarë

Albin Tahiri është skitari i vetëm nga Kosova që do të lëshohet shtigjeve të Pyeongchangut në Lojërat Olimpike Dimërore. Por ai nuk do ta ndiejë mungesën e përkrahjes.

Në Kore të Jugut, ku nga 9 deri më 25 të këtij muaji, do të mbahen LOD "Pyeongchang 2018", pritet të udhëtojë një delegacion i madh në numër i Kosovës.

Me Tahirin do të udhëtojnë trajneri Agim Pupovci, shefi i misionit Bujar Turjaka dhe Kushtrim Krasniqi. Kjo katërshe do të vendoset në Fshatin Olimpik.

Të tjerët do të vendosen nëpër hotele.

Me ftesë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do të udhëtojnë kryetari i KOK-ut Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, si dhe dy anëtarë të Bordit.

Kryetari Hasani ka njoftuar se IOC-ja ka ndarë ftesa edhe për Presidencën, Kryeministrinë dhe MKRS-së. Nuk ka bërë të ditur se nga sa ftesa janë ndarë për këto institucione, por, gazeta nga burimet e saj ka mësuar se katër ftesa janë për Presidencën, tri për Kryeministrinë dhe dy për MKRS-në.

Nëse të gjitha ftesat shfrytëzohen, bashkë me skitarin Tahiri, të vetmin që ka siguruar normë, do të udhëtojnë së paku edhe 16 persona. Ky numër mund të rritet, nëse veprohet njëjtë si në Lojërat Olimpike Verore "Rio 2016", kur KOK-u ishte detyruar të rezervonte dhoma të tjera të hoteleve, pos atyre që i ishin ndarë fillimisht nga organizatori. Numri i anëtarëve të delegacionit të Kosovës në Rio nuk u bë asnjëherë i ditur, por besohet se ishte shumë i madh - shumë herë më i madh se numri i sportistëve.

Nga Presidenca e Kosovës kanë njoftuar se kanë marrë ftesat nga KOK-u. Por këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, nëpërmjet telefonit i ka thënë gazetës se ende nuk është marrë vendimi përfundimtar nëse presidenti Thaçi do të udhëtojë drejt Koresë së Jugut. Për këtë çështje ai ka premtuar se do të përgjigjet edhe me shkrim, por deri orët e vona të së enjtes nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Shpenzimet i bartin institucionet e Kosovës

Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit, sipas praktikës, mbulohen nga vetë pjesëmarrësit, respektivisht institucionet që përfaqësojnë, si Presidenca, Kryeministria dhe MKRS-ja.

"Jashtë Fshatit Olimpik në Kore do të jenë edhe dy anëtarë të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut. Bazuar në kontratën për sponsorizim për disa ditë në Kore të Jugut do të jetë një sponsor i KOK-ut. Nga KON-i ftesë kanë marrë edhe presidenti i vendit, kryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ftesë nga KON-i ka edhe presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut", ka thënë të enjten kreu i KOK-ut, Besim Hasani.

Në të vërtetë KON-i u nis ftesa komiteteve nacionale pjesëmarrëse dhe institucioneve të vendeve që përfaqësojnë, u rezervon edhe dhomat e hoteleve, por nuk mbulon shpenzimet.

Ndryshe nga "Rio 2016", kur numri i madh i zyrtarëve - disa prej të cilëve morën me vete edhe familjarët - mbeti paksa në hije të suksesit historik të Majlinda Kelmendit, në Lojërat Olimpike Dimërore këtë muaj, Tahiri nuk vlerësohet se ka gjasa të fitojë medalje. Në garat kualifikuese ai zakonisht ka përfunduar ndër të fundit.

Nga udhëtimi për në Kore ka hequr dorë kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi.

Por, ai do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të flamurit shtetëror nga presidenti i shtetit, Hashim Thaçi. Flamuri me të cilin do të defilojë Tahiri në ceremoninë hapëse më 9 dhe atë mbyllëse 25 shkurt do t'i dorëzohet këtë fundjavë.

Vetë Tahiri të enjten për gazetën ka thënë se ndihet krenar që do ta përfaqësojë Kosovën. Ai ka lindur në Slloveni, por ka origjinë nga Kosova. Aktualisht është në Slloveni.

Albini është krenar

"Do të jetë ky një prej momenteve më të mira në jetën time. Tërë jetën kam stërvitur për këtë ngjarje dhe tash erdhi momenti, pasi më është shpaguar gjithçka. Unë jam krenar që do ta përfaqësoj Kosovën edhe pse do të kisha dashur të ishim më shumë sportistë. Por, në këtë rast jam i vetmi dhe do të kem presion më të madh, por në të njëjtën kohë kjo më bën edhe më shumë krenar. Kështu që, nuk mund ta përshkruaj me fjalë ndjenjën që e kam. Jam përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të shohim se çfarë do të arrijmë. Pres të jap gjithçka nga vetja dhe në ditën e garës të kem lëshimin më të mirë", ka thënë Tahiri të enjten për gazetën.

Tahiri së bashku me ekipin olimpik të Kosovës drejt Pyeongchangut do të niset më 5 shkurt.

Pritje që Tahiri nga Koreja e Jugut të kthehet me medalje olimpike nuk kanë as në KOK dhe as në Federatën Skitare të Kosovës.

"Përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore kanë shkuar mirë. KOK-u ka mbështetur kandidatët potencialë për arritjen e normës olimpike gjatë muajve dhe javëve të fundit. Përfundimisht Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 'Pyeongchang 2018' me Albin Tahirin, i cili ka arritur në pesë disiplina normë olimpike. Ai është përgatitur mirë. Sipas Federatës Skitare të Kosovës dhe Albinit, ai ndihet në formë të mirë, ndihet krenar që përfaqëson Kosovën, e cila për herë të parë merr pjesë në LOD dhe natyrisht ai do ta japë maksimumin për plasman sa më të mirë. Presim që Albini të radhitet diku në mesin e garuesve pjesëmarrës", është shprehur kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme