Sport

IOC-ja kërcënon boksin me suspendim

Boksi mund të përjashtohet nga Lojërat Olimpike Verore të vitit 2020, nëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk është i kënaqur me zgjidhjen e problemit në financa dhe qeverisje brenda sportit. Këtë e ka bërë të ditur të dielën presidenti i IOC-së, Thomas Bach.

Duke folur në Pyeongchang të Koresë së Jugut pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, Bach ka thënë se IOC-ja është shumë e shqetësuar se si sporti po udhëhiqet dhe ka thënë se IOC-ja është e gatshme të marrë masa ekstreme.

“IOC-ja ka të drejtat për të rishikuar përfshirjen e boksit në programe në Lojërat Olimpike të të Rinjve të vitit 2018, dhe Lojërat Olimpike Verore në Tokio në vitin 2020”, ka thënë Bach.

Pas mbledhjes dyditëshe të Bordit Ekzekutiv të IOC-së në Pyeongchang, Bach ka thënë se IOC-ja nuk është e kënaqur me një raport që është përgatitur nga Federata botërore e boksit amator (AIBA) dhe se do të hapë hetimet ndaj AIBA-s, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

AIBA është përfshirë në një betejë të brendshme me muaj, ku ish-presidenti Ching-kuo Wu fillimisht u suspendua përkohësisht e më pas dha dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, pas një mosmarrëveshjeje të ashpër me Komitetin ekzekutiv të tij.

AIBA emëroi uzbekun Gafur Rahimov si president të përkohshëm të shtunën e kaluar, pas një dorëheqjeje të papritur të presidentit të përkohshëm, italianit Franco Falcinelli.

Kjo nuk është hera e parë që AIBA-s i janë bllokuar fondet e IOC-së.

IOC-ja ka ndaluar një pagesë prej më tepër se një milion dollarësh në të drejtat televizive nga Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, pas një skandali të referimit në këto lojëra.