Matt Walker, përcjellësi i futbollit në një aventurë unike

Matt Walker, përcjellësi i futbollit në një aventurë unike

05 shkurt 2018 14:14

Dikush mund të pyesë: kush është Matt Walker? Anglezi Matt Walker është një udhëtues futbolli, një tifoz futbolli, një fotograf dhe autor që këtë stinor dëshiron të arrijë një gjë unike, një gjë që vetë e quan si “synim i çmendur”.

Ai dëshiron të jetë i pari që ka shikuar futboll të kategorisë së parë në 55 vendet anëtare të UEFA-së dhe madje në një edicion.

Adhurues i skuadrës angleze, Fulham, 41-vjeçari Matt Walker ka shikuar me qindra ndeshje në stadiumin e Fulhamit “Craven Cottage”. Por storia e tij nuk ndalet atje.

Ai ka përjetuar Kupën e Shteteve të Afrikës, Kampionatin Evropian dhe dy herë Kampionatin Botëror, transmeton “Koha Ditore”. Raportimet e tij nga Botërori në Brazil ishin paraqitur në uebfaqen e Fulhamit dhe në disa programe tjera.

Ai pranon se mund të luajë futboll në një standard mesatar. Ai ka luajtur zbathur në plazhet në Burma, ka pasur vështirësi me lartësi mbidetare në Meksikë dhe disa fëmijë etiopianë e kanë thirrur “Crutch”, duke e krahasuar me Peter Crouchin, pasi ka ngjashmëri me futbollistin e Stoke Cityt.

Këtë stinor përcjellësi i futbollit ka vizituar dhe mbuluar ndeshje të elitës në Gjeorgji, Islandë, Ishujt Faroe, Norvegji, Suedi, Finlandë, Estoni, Kazakistan, Rusi, Bjellorusi, Lituani, Letoni, Irlandë, Irlandë e Veriut, Azerbajxhan, Armeni, Turqi, Bullgari, Serbi, Ukrainë, Moldavi, Rumani, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Greqi, Danimarkë, Poloni, Skoci, Angli, Uells, Izrael dhe Qipro, vendi i fundit para se të arrinte në Maltë të enjten dhe ku qëndroi deri të dielën.

Në Maltë, Matt shikoi ndeshjet e Premier Leagues të premten, të shtunën dhe të dielën, para se të bënte rrugën për në Itali, Francë, Andorrë, Gjibraltar dhe Spanjë në muajin shkurt. Në mars do të vizitojë Portugalinë, Çekinë, Sllovakinë, Austrinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin, San Marinon dhe Luksemburgun, ndërsa vendet e fundit si Slloveni, Hungari, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi do t'i vizitojë në prill, për të kompletuar këtë ekspeditë të ëndrrave.

Walker raporton dhe poston fotografi që i bën vetë nga tribunat dhe i dokumenton të gjitha aventurat e tij në uebfaqen që e menaxhon “www.55footballnations.com” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme