Te Werderi të kënaqur me debutimin e Rashicës

Te Werderi të kënaqur me debutimin e Rashicës

05 shkurt 2018 10:44

Është vlerësuar pozitiv debutimi i Milot Rashicës në Bundesligën e Gjermanisë. Mesfushori kosovar të shtunën, tri ditë pasi u transferua, luajti prej fillimi për Werder Bremenin që fitoi 2:1 në udhëtim nda Schalkes, në kuadër të javës së 21-të. Rashica luajti deri në minutën e 56-të, shkruan “Koha Ditore”.

“Ai në tri apo katër raste ka treguar se sa lojtar i mirë është. Ai ka luftuar dhe ka ndihmuar skuadrën, jam absolutisht i lumtur me paraqitjen e tij. Është planifikuar prej fillimit që ta largojmë atë nga loja në minutat e para të pjesës së dytë”, ka thënë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt.

“Miloti ishte me ne vetëm për tri ditë. Është e qartë që me dy stërvitje nuk jemi komponuar ende si duhet. Sot e kemi parë që ai do të na ndihmojë”, ka thënë kapiteni i Werderit Max Kruse. Mesfushori Maximilian Eggestein ka thënë se Rashica ka dëshmuar që sjell cilësi. Vetë reprezentuesi i Kosovës ka folur për ndeshje të veçantë.

“Jam i lumtur për debutimin në Bundesligë e më shumë për fitoren. Ndeshja ishte e veçantë, dallonte prej atyre të zakonshme. Atmosfera ishte tjetër. Tifozët na kanë ndihmuar shumë, edhe pse ishim në udhëtim. Kjo ishte impresive. Natyrisht duhet të adaptohem pak, por kam dhënë maksimumin”, ka thënë Rashica. Werderi është i 15-ti me 20 pikë.

Amir Abrashi është ndëshkuar me karton të verdhë në barazimin pa gola të Freiburgut me Bayer Leverkusenin. Ai luajti 90 minuta për Freiburgun. Admir Mehmedi ka luajtur prej minutës së 66-të për Wolfsburgun që barazoi 1:1 me Stuttgartin. Ishte kjo ndeshja e parë për Mehmedin te Wolfsburgu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme