Sport

Pyeongchang 2018, çfarë duhet të dini për Fshatin Olimpik

Me Lojërat dimërore në PyeongChang që nisin më 9 shkurt u hap zyrtarisht edhe Fshati Olimpik, aty ku u paraqitën delegacionet e para. Risia më e madhe e evenimentit është “Zyra e Sigurisë”, për të denoncuar ngacmimet apo abuzimet seksuale.

Fshati Olimpik në Korenë e Jugut është i ndarë në dy pjesë, në krahinën e PyeongChang priten rreth 3,500 sportistë ndërsa në Gangneung do të akomodohen 2,400 të tjerë. Fjala përshëndetëse në ceremoninë e zhvilluar u mbaj nga Presidenti i Komitetit Organizator, që theksoi se “ndërtimi i dy Fshatrave Olimpike nisi në vitin 2015 dhe është mjaft domethënës fakti se atletët e parë janë paraqitur dhe aty mund të ndihen si në shtëpi”.

Fshati Olimpik përbëhet nga tre seksione: Zona e Sheshit, Zona Rezidenciale dhe Zona Operative. Aty mund të gjenden një gamë e gjerë shërbimesh dhe strukturash: parukeri, zyra postare, banka dhe mini-markete, për të vazhduar me qendrat e fitnesit, qendra besimi dhe deri te salla kryesore e ngrënies, transmeton SS.

Në “PyeongChang 2018”, Shqipëria do të përfaqësohet nga skiatorët Suela Mëhilli që është flamur-mbajtëse dhe Erjon Tolan. Ndërkohë, Kosova është një prej gjashtë vendeve që do të përfaqësohen për herë të parë në Olimpiadën dimërore, së bashku me Ekuadorin, Eritrean, Malajzinë, Nigerinë dhe Singaporin.

Kosova përfaqësohet nga skitari Albin Tahiri.