Sport

Sadriji, shqiptari i vetëm i Zvicrës në futboll të rërës

Fitim Sadriji po bëhej gati të zhvillonte dy ndeshjet e radhës me përfaqësuesen e Zvicrës në futboll në rërë, më 27 dhe 28 janar.

Por një lëndim i pësuar javën e shkuar gjatë ushtrimeve, ia mohoi udhëtimin në Brazil për t'u ndeshur me përfaqësuesen e këtij vendi, shkruan sot Koha Ditore.

Udhëtimi në Santos i mbeti merak lojtarit të lindur në Gjilan. Por ai gjen një ngushëllim. Ai ka debutuar me fanellën e Zvicrës pikërisht kundër Brazilit në turneun "China Grand Prix 2017" dhe ka përjetuar ndjenjën e të qenit rival i përfaqësueses më të fortë në botë.

"Një javë para se të niseshim për në Brazil e kam ndrydhur këmbën gjatë stërvitjeve. Por unë kam luajtur më herët kundër Brazilit. Pres të kthehem sa më shpejt nga lëndimi dhe të luaj sërish", ka thënë Sadriji në një bisedë për gazetën. "Loja kundër Brazilit ka qenë një nga momentet më të mira të mia. U organizua turneu në Kinë dhe aty kemi arritur ta zëmë vendin e dytë".

Zvicra atë ndeshje humbi me rezultatin 10:3, ashtu siç i humbi edhe dy ndeshjet e ditëve më parë, ku Sadriji nuk pati mundësi të luajë për shkak të lëndimit. Brazili ka fituar plot 14 herë titullin e botës në futboll në rërë, si asnjë përfaqësuese tjetër...(më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).