Skitari i vetëm kosovar në LOD shpreson në suksese

Skitari i vetëm kosovar në LOD shpreson në suksese

03 shkurt 2018 18:23

Albin Tahiri vjen në Kosovë. Skitari i vetëm kosovar që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojrat Olimpike Dimërore ka mbërritur në Prishtinë, këtë të shtunë.

28-vjeçari do ta përfaqësojë ekipin olimpik të Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, me garat që mbahen nga 9 deri më 25 shkurt.

Tahiri tha se nuk do të dëshironte asnjëherë që atje të udhëtojë i vetëm, raporton KTV.

“Do të isha krenar në qoftë se do të kishte edhe sportistë të tjerë. Do të doja të isha së bashku me pjesën tjetër të ekipit, por për fat të keq ata nuk ia arritën, edhe pse provuan shumë për këtë gjë. Kjo po ashtu është presion për mua sepse jam i vetmi, por prapëseprapë po e marr këtë si nder dhe jam shumë krenar. Shpresoj që në Lojërat e tjera Olimpike të ketë edhe sportistë të tjerë”.

Skitari i lindur në Slloveni dhe me profesion dentist, ka fituar norma olimpike në pesë disiplina në të cilat do të marrë pjesë, por tregoi se në cilat ndihet më mirë, nga ku edhe pret suksese më të mëdha.

“Jam në formë të mirë, por ta shohim si do të shkojë në pista më të ngadalshme sepse të duhet të jesh edhe në ditë të mirë për të arritur rezultatet më të mira. Por mendoj se jam në formë shumë të mirë. Në disiplina të shpejta ndihem më mirë, në lëshim të shpejtë, në sllallom të madh, kombinim alpik. Nuk dua të flas për pritshmëri, sidomos në ngjarje të mëdha siç janë Lojërat Olimpike, pasi ka shumë surpriza. Duhet ta pranoj se mund arrij rezultate të mira. Skijimi është sport në natyrë dhe gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Për këtë të arritur të Kosovës, shumë i kënaqur është shprehur Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi. Ai shpreson që Tahiri të dalë nga Lojërat Olimpike Dimërore me rezultate të mira dhe thotë se medalja është problem për t’u arritur.

Ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë në Pyeongchang më 5 shkurt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme