Sport

Usyk, një hap larg që të bëhet kampion i padiskutueshëm

Oleksandr Usyk bëri mjaftueshëm për të fituar me pikë dhe për të siguruar titullin e tij të dytë të botës në kategorinë kruzer në boksin profesionist, të shtunën mbrëma.

Usyk është vetëm një fitore larg që të bëhet kampion i padiskutueshëm në peshën kruzer, pas triumfit në një meç të kualitetit të lartë dhe tempit të lartë me letonin Mairis Briedis.

Ukrainasi Usyk është bërë kampion bote në versionet WBC dhe WBO, me triumfin 2:0 në pikë ndaj Briedisit në Riga të Letonisë, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Dy anëtarë të jurisë vlerësuan luftën 115:113 në favor të Usykut, ndërsa njëri e vlerësoi baras 114:114.

Usyk ia ka marrë titullin WBC, Briedisit, duke ia shtuar atij WBO që e kishte.

Për ukrainasin 31-vjeçar është fitorja e 14-të nga po aq lufta, 11 prej tyre i ka me nokaut.

Ishte një përballe atraktive me shumë shkathtësi, shumë zemër dhe aksion nga të dyja kampionët dhe kishte shumë pak dallim mes tyre. Të dy në përballje ishin futur me reputacion të madh dhe ishte pritur një meç i tillë atraktiv. Briedis 33-vjeçar ka pësuar humbjen e parë në karrierë, karshi 23 fitore (18 KO).

“Këto janë raundet më të vështira që kam pasur në karrierën time dhe do të punoj të përmirësoj stilin tim”, ka thënë Usyk, që ka përgëzuar kundërshtarin e tij.

Nuk ishte një rezultat që donin tifozët letonë të Briedisit, por fitorja i jep Usykut mundësinë për të fituar dy titujt tjerë të peshës kruzer, atë IBF dhe WBA, në finalen e turneut World Boxing Super Series (WBSS) në maj.

Ukrainasi nuk duhet të presë shumë për të mësuar kundërshtarin në finale, pasi rusi Murat Gassiev (25-0) që është kampion i IBF-së do të përballet me kubanin Yunier Dorticos (22-0), kampion i WBA-së, në gjysmëfinalen tjetër, më 3 shkurt në Sochi.

Finalja pritet të mbahet në Arabi Saudite.

Turneu WSSB ka mbledhur tetë boksierët që janë vlerësuar si yje të peshës kruzer që janë ndeshur mes vete në sistem nokaut. Fituesi do të marrë trofeun “Muhammad Ali”.