Sport

Celina i jep tifozit fanellën pas “bastit” në Twitter

Fuqia e rrjeteve sociale duket se po vazhdon të rritet çdo ditë, kjo është parë edhe gjatë kësaj jave në një rast që ka përfshirë edhe përfaqësuesin e Kosovës, Bersant Celina.

Një fans i Ipswich Townit përmes një postimi në Twitter i kërkoi fanellën Bersant Celinës, të cilën e kishte veshur në fitoren ndaj Leedsit.

Jordan Hockold e pyeti Celinën për fanellën duke shkruar, “zakonisht nuk bëj këso gjërash, por për argëtim sa ‘retweet’ duhet të marrë për një fanellë me nënshkrim? Cakto numrin?”.

Celina e befasoi atë, duke i thënë se duhet të marrë 1 mijë “retweet”, dhe më pas e ftoi atë në shtëpinë e tij për t’i dhënë fanellën, transmeton Koha.net.

Image

Hockold e pranoi se u befasua me kërkesën e Celinës, dhe iu duk e vështirë të arrijë atë shifër, por me ndihmën e fansave të Ipswichit ia doli.

“Ku ai tha 1000 mendova se ishte shumë e lartë, për shkak të ndjekësve që kam, por kur fansat e Ipswichit përfshihen duket se gjithçka është e mundur, një grup shumë i vogël i fansave. Shkova dhe e mora në banesën e tij, ai ishte shumë i mirë. U ndal dhe bisedoi për të gjitha gjërat rreth Ipswichit, për karrierën e tij, dhe çfarë planifikon për të ardhmen”, ka thënë ai.

Celina është bërë një figurë e popullarizuar që kur ishte bashkuar me klubin nga Portman Road në huazim nga Manchester City në verë, ai ka shënuar tetë gola në 27 paraqitje.