Sport

Azerbajxhani kundërshtari më i fortë i Kosovës, thotë Vokrri

Descriptive Text

Përfaqësuesja e Kosovës i ka mësuar kundërshtarët e saj për Ligën e Kombeve. Kosovës në shortin e hedhur të mërkurën në Lozanë të Zvicrës për kundërshtare në Grupin 3 të Ligës D, i kanë rënë Azerbajxhani, Malta dhe Ishujt Faroe.

Për kryetarin e Federatës së Futbollit e Kosovës, Fadil Vokrri, që ishte i pranishëm gjatë hedhjes së shortit, kundërshtari më i rrezikshëm do të jetë Azerbajxhani. Por, kryetari Vokrri beson se edhe Kosova mund të arrijë suksese të mëdha.

Më optimist se kryetari Vokrri është shprehur nënkryetari, Agim Ademi. Ademi beson se Kosova do të përfundojë e para në Grup. Ndërsa, si short të lehtë e ka vlerësuar edhe trajneri i Përfaqësueses U17, Besnik Kollari.

Për Kosovën vetëm kundërshtarja e Ishujve Faroe është e njohur. Me Ishujt Faroe Kosova ka bilanc pozitiv. E mposhti në miqësoren e parë zyrtare pas pranimit në UEFA dhe FIFA me rezultatin 2:0, ndeshje kjo e zhvilluar më 3 qershor të vitit 2016.

Me kundërshtaren e tretë, Maltën nuk ka pasur asnjë përballje.

Nuk duhet të ngutemi në deklarata ka thënë mesfushori i palodhur i përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha.

"Jam i kënaqur me shortin dhe gjasat janë të mira për ta kaluar grupin, por duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat që i japim, pasi nuk ka shtete të dobëta, dhe çdo shtet i ka mundësitë e veta në këtë Ligë të Kombeve", ka thënë Berisha për Sportin në KTV.

Ndeshjet e para të Ligës së Kombeve do të zhvillohen më 6-8 shtator të këtij viti, kurse ndeshje do të ketë edhe më 9-11 shtator, 11-13 tetor, 14-16 tetor, 15-17 nëntor dhe 18-20 nëntor.

Kosova në ciklin eliminator të Botërorit përfundoi në vendin e fundit me vetëm një pikë të marrë nga 10 ndeshje sa i zhvilloi gjithsej.

Katër përfaqësueset më të mira të Ligës D që nuk kualifikohen për "Euro 2020", do të kenë një rast tjetër për të shkuar në evropian përmes Play-Offit të Ligës së Kombeve që zhvillohet në mars të vitit 2020.