Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot është takuar me kryetarin e Federatës së Futbollist të Kosovës, Fadil Vokrrit.
Mustafa përmes një postimi në Facebook thotë se Vokrrit i ka shprehur përkrahjen e qeverisë për futbollin, veçanërisht për kompletimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e stadiumeve, të cilët janë bërë temë që disa muaj për shkak të vonesave dhe kritikave që ka marrë Kosova nga UEFA.
Thotë të kenë biseduar edhe për ndeshjen e së premtes, mes Kosovës e Islandës, që për shkak të mungesës së stadiumeve në Kosovë do të zhvillohet në Shkodër.
Ky është postimi i plotë i Mustafës:
Gjatë një takimi që pata sot me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ku ishte i pranishëm edhe ministri Kujtim Shala, theksova përkrahjen e Qeverisë për futbollin kosovar, veçmas në kompletimin e infrastrukturës dhe në ndërtimin e stadiumeve.
Shqyrtuam shumë aspekte ku, me përkushtim të përbashkët, mund të arrijmë rezultate konkrete.
Natyrisht, folëm edhe për përballjen e së premtes me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2018, që pritet me entuziazëm të madh nga "Dardanët" dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.