Sport

Shqiptari editon videon e prezantimit të Sanchezit tek Unitedi

Gjiganti botëror i futbollit, Manchester United, ia ka besuar një shqiptari nga Kosova editimin final të videos së prezantimit në klub të Alexis Sanchez.

 Detajet e kësaj videoje të jashtëzakonshme janë finalizuar nga regjisori dhe montazheri kosovar, Bledar Bujupi. Bujupi, që jeton dhe punon në Manchester, është thirrur të dielën pasdite nga gjiganti botëror i futbollit, Manchester United, për një punë sekrete.

Në hapësirat e Old Trafford ndodhej ylli kilian i futbollit, Alexis Sanchez, me të cilin do të xhirohej dhe më pas montohej videoja e prezantimit. Bujupi ka punuar me regjisorin Ben Thornleyn, të kompanisë Mob, për të përfunduar videon në të cilën Sanchez e luan në piano himinin ‘Glory Glory Man United’ Për 24 orë videoja e prezantimit të Sanchezit është parë më shumë se 20 milionë herë në të gjitha rrjetet sociale.

“Isha shumë krenar dhe i privilegjuar kur më kërkuan ta bëj këtë punë. Që videoja e prezantimit të një prej lojtarëve kryesorë në Premier League t’i besohet një montazheri kosovar, është një privilegj i madh. Ka pasur shumë presion për këtë punë, por videoja finale është pritur shumë mirë nga tifozët e Manchester United në mbarë botën”, ka thënë Bujupi për KTV-në. Ai ka shtuar se në secilën punë që e bën provon të jetë ambasador i Kosovës dhe të dëshmojë para botës për talentin e madh që njerëzit nga këtu kanë.

Bujupi gjithashtu e ka punuar edhe videon e prezantimit të Paul Pogbas në Manchester United. Ai bashkë me familjen e tij kanë shkuar si refugjatë nga Kosova në Angli, në vitin 1999.