Sport

Shqipërisë i merret organizimi i evropianit të peshëngritjes

Si rrjedhojë e skandalit me doping, Shqipëria nuk do të organizojë kampionatin e Evropës në peshëngritje për vitin 2018.

Evropiani i këtij viti për seniorë është dashur të organizohet në Tiranë, por Federata Evropiane e Peshëngritjes tashmë po kërkon organizator tjetër, shkruan Koha Ditore.

Organizimi i evropianit vlerësohej sukses i madh për Shqipërinë, por situata ndryshoi pasi Romela Begaj së fundi është testuar pozitivisht për përdorim të dopingut.

Më pas dorëheqje dha presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, kurse goditja e re për peshëngritjen shqiptare erdhi nga federata evropiane.

Nëse edhe mostra B e Begajt del pozitive, ajo pritet të suspendohet për kohë të gjatë, njëjtë si Shqipëria nga aktivitetet ndërkombëtare të peshëngritjes.

“Fatkeqësisht Bordi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dha dorëheqjen për probleme dopingu dhe FSHP-ja nuk mund të organizojë evropianin në fund të muajit mars. Ky është një problem i papritur dhe shumë serioz për Federatën Evropiane, dhe vendet pjesëmarrëse. Ne kemi dy opsione, të gjejmë një vend të ri organizator apo ta shtyjmë Evropianin që t'i japim kohë vendit të ri për organizim. Do të negociojmë fillimisht me disa shtete anëtare që të vendosim për organizatorin e ri, pasi prioritet është organizimi i garës në kohën e përcaktuar më parë, pra nga 26 marsi deri më 1 prill”, thuhet në komunikatën që të hënën e lëshoi Federata Evropiane e Peshëngritjes.