Sport

Mioçiq triumfon përballë bishës Ngannou

Descriptive Text

Kampioni i peshës së rëndë në serinë më të madhe të arteve marciale të përziera UFC, Stipe Mioçiq, ka dominuar përballjen ndaj kamerunasit Francis Ngannou të shtunën mbrëma në Boston, duke triumfuar me vendim unanim pas pesë raundeve. Ai vendosi rekord të ri në UFC, për tri mbrojtje të suksesshme të titullit të peshës së rëndë në këtë seri.

Nga fillimi Mioçiq shikoi të evitonte forcën e frikshme të grushteve të 31-vjeçarit Ngannou, duke iu afruar atij, duke e kapur në stil të mundjes dhe duke e rrëzuar atë sa herë që vinte mundësia.

Amerikani 35-vjeçar me origjinë kroate, arriti të sillte luftën poshtë në dysheme në mesin e raundit të parë dhe Ngannou dukej i humbur, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Mioçiq shikonte të përballej me superioritetin e kundërshtarit në shkathtësitë e kapjes.

Ngannou u ngadalësua dukshëm në fillim të raundit të dytë dhe Mioçiq e shfrytëzoi këtë.

Me gjithë lodhjen, Ngannou dha një të djathtë të fuqishme në raundin e tretë, por përfundimisht ai nuk kishte zgjidhje për mundjen e Mioçiqit që fitoi çdo raund sipas vlerësimit të jurisë, për të siguruar fitore me vendim unanim.

“Jam më i keqi”, tha Mioçiq pas meçit. “Unë besoj se jam më i miri i të gjitha kohërave. Askush nuk e ka mbrojtur titullin tri herë. Kam pasur rrugë të vështirë deri te titulli”.

Ai në artet marciale të përziera (MMA) ka bilanc prej 18 fitoresh e dy humbjeve.

Ngannou ka pësuar humbjen e tij të parë në UFC dhe të parën në MMA që nga viti 2013.

“Mendoj se e kam nënvlerësuar paksa. Ai është shumë i mençur”, ka deklaruar Ngannou.