Sport

Dardan Pupovci “pushton” pistën në Bogë të Rugovës

Dardan Pupovci është shpallur kampion i Kupës Memoriale “Hajrush Demaj”, e organizuar nga Federata Skitare e Kosovës.

Për nder të ish-kryetarit të ndjerë, të Federatës skitare të Kosovës, drejtuesit aktualë, të dielën në Bogë të Rugovës, organizuan kupën memoriale “Hajrush Demaj”, raporton Sporti i KTV-së.

Pupovci e kreu pistën me kohën totale pas dy lëshimeve, 1 minutë 5 sekonda e 20 të qindtat.

Në garën e Juniorëve të vjetër, në konkurrencën e meshkujve më i suksesshmi ishte Eron Burri, kurse te femrat Adea Kollqaku.

Te Juniorët e rinj dominoi Arbi Pupovci, që pas dy lëshimeve e kreu garën për 1 minutë e 3 të qindtat, kurse Krenare Lika u shpall kampione te femrat me kohën 1 minutë 33 sekonda e 18 të qindtat.

Më e mira te pionieret e vjetra ishte Klea Vrella, kurse te meshkujt u dallua Yll Bojku. Vrella pistën e përfundoi me kohën totale prej 1 minutë 6 sekonda e 45 të qindtat.

Ndërkohë, te pionierët e rinj, te femrat u dallua Arba Pupovci dhe Art Bojku te meshkujt, kurse vendin e dytë e zuri Bejza Dresha.

Të dielën, në Kupën Memoriale morën pjesë 4 rajone të Kosovës, ai i Pejës, Dragashit, Prishtinës dhe Mitrovicës.

7 ekipe morën pjesë dhe rreth 80 garues ishin të pranishëm.

Ndërkohë, nga kjo garë vihet re rikthimi i klubit Borea që nuk mori pjesë në garën e javës së kaluar, kurse Klubi Skitar Prishtina, nuk u paraqit përsëri.

Po ashtu çmime dhe mirënjohje u ndanë edhe për Shpresat, Yllkat dhe Fatosat në të dyja konkurrencat.