Sport

IJF: Ekipi i Kosovës ka burime të shenjta

Me vetëm tre garues, Kosova ka udhëhequr në tabelën e medaljeve pas ditës së dytë të garave në turneun Grand Prix të xhudos, që prej të premtes deri të dielën u mbajt në Tunizi të Afrikës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vetëm në ditën e tretë të garave, të dielën, Kosova është kaluar në tabelë nga vende që kishin numër dukshëm më të madh garuesish, përkatësisht nga Kazakistani, Ukraina e Japonia.

Ishte e veçantë gara në Tunizi për Kosovën. Të premten Distria Krasniqi nisi me medalje, duke fituar të argjendtën në kategorinë deri 52 kilogramë. Më pas Nora Gjakova fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë. Dhe Grand Prix në Tunizi u bë prej garave më të mira të Kosovës, falë medaljes së argjendtë që të shtunën e fitoi Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë.

Ekipi i Kosovës, të dielën, ka udhëtuar për në shtëpi, ndërsa pas paraqitjes në Tunizi është rritur edhe më shumë respekti i komunitetit botëror të xhudos ndaj tij.

“Ky është një fakt: Ky ekip i Kosovës ka burime të shenjta”, ka komentuar sajti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), pas suksesit që të premten e arritën Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Për Norën, IJF-ja ka shkruar se nuk është dridhur asnjëherë dhe ka fituar titullin pa shumë vështirësi. Për Distrinë, sajti i federatës botërore ka shkruar se kishte avantazhin fizik dhe teknik në finale, por se kundërshtarja e saj nga Brazili me inteligjencë mori kontrollin e luftës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)