Bunjaki tregon pritjet për ndeshjen me Islandën

20 mars 2017 23:45

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, ka komentuar ftesën për Besart Berishën, Donis Avdijaj dhe Atdhe Nuhiut për ndeshjen ndaj Islandës. Në një intervistë për KTV-në ai ka treguar pritjet e tij për këtë ndeshje dhe paraqitjen e tre yjeve shqiptare.

Kjo është hera e parë që kjo treshe është përzgjedhur në ekipin e Kosovës. Ata pritet të luajnë minutat e parë për fanellën e Kosovës në përballjen e së premtes në Grupin I kualifikues për Botërorin Rusia 2018.

“Jemi shumë të kënaqur që kanë ardhur. Kemi të bëjmë me tre lojtarë shumë të mirë ofensivë. Të tre kanë dëshmuar deri tash aftësitë që kanë dhe karakterin për fitore”, ka thënë ai për KTV-në.

Ai ka thënë po ashtu se pret që në këtë ndeshje, përfaqësuesja e Kosovës të tregojë eksperiencën e fituar në ndeshjet e fundit dhe pse jo të befasojë Islandën.

“Për katër lojë kemi krijuar një eksperiencë. Mendoj që befasia është shumë afër. Por qëllimi jonë është të ngritemi në ranglistë më shumë. Do të vazhdojmë të ngritemi në ranglistë”, ka shtuar më tej ai.

I pyetur lidhur me mungesën e ftesës për mesfushorin me përvojë Alban Meha, Bunjaki ka thënë: “Albanin e kemi pas por ka munguar 11 lojë, është kthyer prej lëndimi dhe për momentin në pozitën e tij kemi 4-5 lojtarë që kemi në gjendje më të mirë, por kjo mund të ndryshojë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme