Sport

Zidane nuk largohet, Reali i ofron kontratë të re

Zinedine Zidane do të vazhdojë të jetë në stolin e Real Madridit edhe për dy sezone të tjera, raporton “AS”.

Pavarësisht sezonit zhgënjyes dhe diferencës së madhe prej 19 pikëve me Barcelonën, Reali nuk do ta shkarkojë, përkundrazi i ofron kontratë të re.

Situata aktuale është më e keqe se ajo që ishte me Rafa Benitez dy vite më parë, por Zidane nuk do ta ketë fatin e hidhur si të spanjollit, për hatër të asaj që ka dhënë për klubin si lojtar dhe historisë që shkroi duke fituar dy herë me radhë Ligën e Kampionëve si dhe tetë titujt që koleksionoi për dy vite në stolin e 12 herë kampionëve të Evropës.

Sipas “AS”, Reali dhe Zidane shumë shpejt do të nënshkruajnë kontratën e re me të cilën do të fitojë 10 milionë euro në sezon dhe do të jetë pjesë e Los Blancos deri në vitin 2020.