Sport

Skitarët nisin garat

Vëllezërit Arbi dhe Dardan Pupovci nga Klubi Alpin, kanë dominuar në Kupën e Arxhenës dhe të Dëshmorëve të Kombit që u zhvilluan gjatë fundjavës në Brod të Dragashit.

Të dielën, Arbi dominoi në garën e sllallomit dhe pistën prej 800 metrave të gjatë e kreu për 2 minuta, 23 sekonda e 37 të qindtat pas dy lëshimeve.

Ndërkohë, te femrat, epitetin e më të mirës te senioret në Kupën e Arxhenës e mori Rita Idrizi, me kohën 3 minuta, 6 sekonda e 48 të qindtat.

Në këtë garë morën pjesë edhe të gjitha grupmoshat, ndërsa Alea Vrella e zuri vendin e parë në kategorinë e shpresave.

7-vjeçarja Vrella nisi me sportin e skijimit që në moshën 2 vjeçare, ndërsa në fundjavë u shpall kampione në të dyja Kupat. Të shtunën ajo e kreu pistën për 45.98 sekonda.

Për rrjedhën e garave i kënaqur u shpreh kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, raporton Sporti në KTV.

Në garat e para të organizuara nga Federata e Skitarisë, i pranishëm ishte edhe Drejtori i MKRS-së, Ibër Alaj, që u zotua se do të ketë ndihmë të madhe për këtë sport.

Xhevdet Arifi, që është drejtor i qendrës Arxhena ku u mbajtën garat, nënvizoi se këto gara janë shumë të mirëseardhura sidomos për garuesit e rinj.

Të shtunën në konkurrencën e meshkujve te seniorët më i miri ishte Dardan Pupovci, me kohën 2 minuta, 29 sekonda e 31 të qindtat pas dy lëshimeve.

Pesë ekipe pjesëmarrëse me 50 garues në të dyja konkurrencat ishin të shtunën, kurse të dielën gjashtë në total, 53 garues e garuese.

Kupa e radhës e FSK-së do të jetë ajo e “Hajrush Demës” dhe do të mbahet në Bogë në javën e ardhshme.