Laureatët e vitit 2017 nga FFK-ja, Valon Berisha sërish më i miri

Laureatët e vitit 2017 nga FFK-ja, Valon Berisha sërish më i miri

12 janar 2018 22:39

Valon Berisha u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2017 në Kosovë, i zgjedhur nga Federata e Futbollit e Kosovës, raporton Sporti në KTV.

Berisha, që është edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe lojtar i Red Bull Salzburgut në Austri, pati një vit mjaft pozitiv duke qenë i pazëvendësueshëm si te klubi austriak, gjithashtu edhe në përfaqësuesen e Kosovës. Mesfushori llapjan për të marrë epitetin e më të mirit të vitit, e mposhti konkurrencën e dyshes Amir Rrahmani dhe Hekuran Kryeziu.

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës si më të mirin e Superligës e votoi futbollistin e Trepçës ’89, Florent Hasanin. Hasani me mitrovicasit u shpall kampion në Ligë dhe debutoi në Ligën e Kampionëve, ku u mposht që në rrethin e parë të garës. Futbollistja më e mirë e vitit 2017 u zgjodh Zylfije Bajramaj

Trepça ’89 u shpall edhe klubi më i mirë te meshkujt, si dhe klubi më Fair-Play për vitin 2017. Te femrat, çmimi i klubit më të mirë iu dha Hajvalisë.

Ndërkohë, trajneri i vitit që e lamë pas u zgjodh ish-drejtuesi i ‘89shit, Zekirija Ramadani, që e udhëhoqi klubin drejt titullit historik.

Golashënuesi më i mirë për vitin e kaluar u shpall Otto John, por megjithatë, nigeriani nuk ishte i përfshirë në 11-shen më të mirë.

Në formacionin e vitit ishin Faton Maloku në portë, më pas Armend Thaqi, Armend Dallku, Rron Broja, Ardian Limani, Hamdi Namani, Genc Hamiti, Mentor Zhdrella, Mirlind Daku, Xhevdet Shabani dhe Florent Hasani.

Në Futsall, epitetin e ekipit më të mirë e mori Liburni nga Gjakova për shkak të pjesëmarrjes në garat evropiane, kurse lojtari më i mirë i parketit në Kosovë u shpall Halim Selmanaj.

Gjyqtari më i mirë për herë të tretë rresht dhe të katërt në total, doli të jetë Genc Nuza, kurse punëtor i vitit u shpall Xhevdet Shoshi.

I kënaqur me vitin e shkuar u shpreh Kryetari i Federatës së Futbollit e Kosovës, Fadil Vokrri, por nënvizoi se përpara i pret një punë e madhe për t’u bërë.

Gjatë ceremonisë, u dhuruan edhe mirënjohje për kontributin e dhënë futbollit kosovar që u takuan Albert Bunjakit dhe Shefqet Thaqit, mirënjohje për gazetarinë sportive, për tifo-grupin e Kosovës “Dardanët” si dhe shumë mirënjohje të tjera për kontribuuesit më të mëdhenj të futbollit si dhe u nderuan 19 figura me mirënjohjet post-mortem.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme