Sport

Ngjarjet që shënuan vitin

Viti 2017 nuk u shqua për ngjarje të mëdha si Lojëra Olimpike, botërorë e evropianë në sporte të mëdha, por definitivisht pati shumë ndodhi që drodhën skenën, për të mirë apo për të keq.

Dy ikonat e sportit Usain Bolt e Wladimir Klitschko vendosën të largohen nga sportet e tyre, ndonëse jo në mënyrën siç deshën. Ata u larguan me kokën ulur.

Ndërkohë u thye rekordi i transferimit në futboll, dhe kjo bindshëm, kur Neymari kaloi te Paris Saint-Germaini. Real Madridi arriti të bëhej skuadra e parë që mbrojti titullin e Evropës, që nga viti 1992 kur gara organizohet në këtë format.

Joshua i dha fund karrierës së Klitschkos, Mayweather theu rekordin

Britaniku Anthony Joshua në prani të mbi 90 mijë shikuesve në stadiumin “Wembley” në Londër, më 29 prill, arriti të gjunjëzojë ikonën e peshës së rëndë, ukrainas Wladimir Klitschko, në duelin për titujt e botës në peshën e rëndë në versionet IBF, WBA dhe IBO.

Përballja ishte plotë dramë, Joshua e rrëzoi fillimisht Klitschkon në raundin e pestë, mirëpo në atë raund në tentim për të mbyllur përballjen para kohës ai humbi gjithë energjinë. Klitschko më pas e rrëzoi Joshuan në raundin e gjashtë. Dukej se erdhi te kthesa e madhe e Klitschkos, mirëpo Joshua po mblidhte energjinë dhe në raundin e 11-të arriti të rrëzonte Klitschkon dy herë para se të gjyqtari të ndërpriste meçin.

Joshua arriti të bënte famë botërore me atë triumf ndaj ikonës Klitschko, ndërsa për Klitschkon ishte meçi i fundit në karrierë. Ai e mbylli karrierën në profesionalizëm me 64 fitore e pesë humbje. Një meç i madh i boksit, ndonëse më i veçantë, u zhvillua më 26 gusht në Las Vegas.

Superylli i boksit Floyd Mayweather Jr., u kthye në ring pas një pauze gati dyvjeçare për t'u përballur me yllin e serisë më të madhe të arteve marciale të përziera (MMA), UFC-së, irlandezin Conor McGregor. Dueli u zhvillua në 12 raunde dhe meçi është vlerësuar si më fitimprurësi në histori të boksit. Mayweather fitoi me nokaut teknik në raundin e 10-të.

Për amerikanin ishte fitorja e 50-të në po aq meçe dhe ai e kaloi rekordin e legjendës Rocky Marciano, që kishte pasur rekord perfekt prej 49-0. Familjarët e Marcianos kontestuan rekordin e Mayweatherit, duke thënë se fitorja e 50-të u arrit ndaj një kundërshtari pa përvojë në boksin profesionist.

Reali mbylli vitin me pesë trofe

Real Madridi në qershor u fut në histori, duke u bërë skuadra e parë që prej vitit 1992 kur është ndryshuar formati i Ligës së Kampionëve, që mbrojti titullin e kampionit.

Skuadra madrilene në finalen e luajtur në Cardiff mposhti Juventusin me shifrat 4:1. Edicionin 2016/17 skuadra madrilene e mbylli edhe me titullin e La Ligas. Ndërsa në stinorin e ri fitoi Superkupën e Evropës, Superkupën e Spanjës dhe Botërorin e klubeve, që i bie se 2017-n e mbylli me pesë trofe. I mungoi vetëm Kupa e Spanjës... (më gjerësisht lexoni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)