Sport

Strakosha portieri më i mirë i ri, lë prapa Donnarumman

Thomas Strakosha ka lindur në 19 mars 1995 në Athinë, por pa asnjë mëdyshje vendosi që të mbronte ngjyrat e kombëtares shqiptare për të cilat babai i tij, Foto Strakosha ka derdhur aq shumë djersë.

Thomas Strakosha po konfirmohet si një prej më premtuesve në rolin e tij dhe jo më kot renditja e fundit e vendos më të mirin mes portierëve të rinj.

Rrjeti i specializuar i transferimeve e vlerëson kartonin e shqiptarit 13 milionë euro, por Lazio nuk pranon të privohet nga Strakosha as për dyfishin e kësaj shume.

Në statistikat e paraqitjeve të talentit shqiptar me Lazion gjatë gjysmës së parë të sezonit, 22-vjeçari kuqezi është kthyer në një garanci për portën, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ecurinë mbresëlënëse të ekipit, transmeton TCH.

Në klasifikimin special të portierëve më të rinj në ligat më të forta europiane talenti kuqezi pozicionohet i pari për numrin e pritjeve të realizuara në këtë edicion. 67 pritje përballë 45 të Donnarummas së Milanit.

Në podium, pas shqiptarit janë 18-vjeçari i Toulouset, Alban Lafont dhe Bingourou Kamara i Strasbourgut, këta dy të fundit në futbollin francez. Por jo vetëm kaq.

Thomas Strakosha është edhe mes 10 portierëve më të fortë në nivel europian, duke llogaritur që numri i pritjeve mesatare për ndeshje është më i lartë sesa ai i David De Geas i Manchester Unitedit apo Ter Stegenit të Barcelonës.

Ofertat për shqiptarin vërshojnë prej muajsh, por vetëm një tërmet mund ta lëvizë atë nga Lazio në merkaton e këtij dimri. Pretendentë për ta blerë janë Milan dhe Juventus.