Sport

Pochettino: Kane nuk ka çmim

Menaxheri i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, ka insistuar se është e pamundur të vendosësh një çmim për sulmuesin në formë, Harry Kane.

Anglezi ka realizuar 18 gola në 19 paraqitjet e fundit në Premier Ligë, duke u bërë lojtari me më së shumti gola të shënuar brenda një viti kalendarik.

Kane, i cili është në dyshim për ndeshjen ndaj Swansea Cityr më 2 janar, është lidhur me një kalim te Real Madridi, por trajneri i tij ka refuzuar të caktojë një çmim për të.

“E duam këtu, pra, nuk ka çmim. Mund të flasim për shumë gjëra, por është e pamundur të kesh një çmim për të. Kjo pyetje është për [drejtorin] Daniel Levyn, jo për mua. Për mua është e lehtë, por për Danielin është ndryshe”.

“Gjithmonë është trajtuar si superyll. I kemi besuar që prej ditës së parë sepse e kemi parë potencialin dhe meriton lëvdatat për ato që ka arritur”.