Rritet numri i klubeve që kërkojnë Qakën, në garë edhe dy nga Spanja

Rritet numri i klubeve që kërkojnë Qakën, në garë edhe dy nga Spanja

27 dhjetor 2017 13:10

Girona dhe Las Palmas janë dy skuadrat e La Ligas që interesohen për shërbimet e Kamer Qakës. Emrat e klubeve spanjolle janë zbuluar nga Adrian Ambrosie, presidenti i Politehnica Iasi.

Girona është skuadra katalane që në këtë sezon ka befasuar me ecurinë e saj, duke u klasifikuar mes dhjetë më të mirëve në kampionatin elitar spanjoll, dhe kërkon të përforcohet me yllin e ri kuqezi, për të vijuar paraqitjet fantastike, raporton Supersport.

Në anën tjetër, Las Palmasi mbyll renditjen në La Liga dhe e cilëson Kamer Qakën si një prej përforcimeve të afatit kalimtar të janarit, me të cilët do të kërkojë mbijetesën në elitë.

Dy skuadrat spanjolle i shtohen listës së gjatë të pretendentëve, mes të cilave janë Sampdoria e Benevento në Serie A, Sporting Braga në Portugali por edhe disa klube nga Liga e Parë rumune, mes të cilave edhe Steaua e Bukureshtit.

Kamer Qaka është padyshim emri më i lakuar i këtij afati kalimtar në Rumani, me mesfushorin shqiptar që i mjaftuan vetëm gjashtë muaj për t’u afirmuar si një talent i madh, duke tërhequr vëmendjen e klubeve nga ligat më të rëndësishme europiane.

Por, nga një xhevahir i tillë nuk mund të hiqet dorë aq lehtë dhe te Politehnica Iasi nuk kanë ndërmend të nxitohen. Sipas presidentit Ambrosie, 22-vjeçari do të shitet vetëm përballë një oferte të mirë për klubin, por edhe për të ardhmen e vetë Qakës.

Skuadra rumune pretendon të paktën një milion euro për kartonin e kuqeziut, me shifrën që pritet të rritet në momentin kur ankandi të hyjë në fazën e nxehtë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme