Sport

MKRS-ja ndan 30 mijë euro për përgatitjen e Kelmendit për LO2020

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), Federata e Xhudos dhe xhudistja olimpike Majlinda Kelmendi kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim që Kelmendi të mbështetet në vlerë prej 30 mijë eurosh nga MKRS-ja, për përgatitjet për Lojërat Olimpike 2020.

Sipas memorandumit, Kelmendi obligohet që të përfaqësojë vetëm Republikën e Kosovës në garat ndërkombëtare përgjatë ciklit olimpik, të prezantojë Republikën e Kosovës në Ciklin Olimpik dhe t’i përgjigjet Republikës së Kosovës në xhudo sa herë që është e nevojshme të mbrojë ngjyrat e shtetit.

Ministri Kujtim Gashi e vlerësoi se kjo mbështetje financiare për sportistët që arrijnë rezultate kulmore siç është rasti i medalistes olimpike Majlinda Kelmendi është një lloj mirënjohje nga shteti dhe një nxitje për prezantim e përfaqësim sa më cilësor të shtetit në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit, e cila edhe ndihmon në ngritjen e shtetit anekënd botës.