Sport

Shumë trajnerë kosovarë kandidatë për Kukësin

Ardian Kozniku është një nga kandidatët për ta zëvendësuar te Kukësi trajnerin serb të larguar Mlladen Milinkoviq, ka njoftuar të hënën “Sport Ekspres”.

Siç njofton gazeta tiranase, Kozniku është ndër trajnerët e preferuar të presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Pos Koznikut, në mediumet e Shqipërisë për postin e trajnerit të kampionit në fuqi, Kukësit, janë përfolur edhe Bylbyl Sokoli, që së fundi ishte pjesë e Vllaznisë së Pozheranit, pastaj Zekirija Ramadani që dha dorëheqje ditë më parë nga ekipi i Ferronikelit, si dhe ish-seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, shkruan sot “Koha Ditore”. Ky i fundit të hënën për gazetën e ka mohuar kontaktin me Kukësin.

“Nuk kam biseduar me asnjë prej drejtuesve të Kukësit. Unë jam trajner i lirë, por planet e mia janë më ndryshe”, ka thënë Bunjaki.

Ndërkohë nga mediumet në Shqipëri është raportuar se pas mbrojtësit të përfaqësueses së Kosovës, Bajram Jashanica, gjatë muajit janar do të largohet nga Skënderbeu edhe futbollisti tjetër kosovar, Donjet Shkodra. Shkodra gjatë verës së kaluar u transferua nga Flamurtari i Vlorës.

Për Jashanicën është raportuar se ka interesim nga një skuadër në Rusi. “Ende nuk ka asgjë konkrete. Por me gjasë do të largohem në janar”, ka thënë Jashanica për gazetën.