Sport

Montreali nuk e lëshon Xhemailin

Drejtuesit e skuadrës kanadeze Montreal Impact nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë mesfushorin Blerim Xhemaili.

Xhemaili 31-vjeçar do të jetë pjesë e skuadrës kanadeze edhe për sezonin e ardhshëm, ka njoftuar të hënën “tvasports.ca”, transmeton “Koha Ditore”.

“Janë vetëm thashetheme se Xhemaili është i interesuar të kthehet në Evropë për sezonin e ardhshëm. Por kjo nuk është e vërtetë, pasi Xhemaili është në projektin e Montrealit. Ai ka pasur ndikim të madh në lojën e Montrealit dhe nuk do ta lëshojnë askund”, shkruan sajti kanadez.

Xhemaili te skuadra e Montreal Impact ka kaluar nga Bologna. Të dyja skuadrat menaxhohen nga i njëjti pronar.

Javë më parë është raportuar se Bologna do ta kthejë të luajë në Itali gjatë pushimeve në SHBA e Kanada. Por kjo marrëveshje do të finalizohet vetëm nëse do të pajtohet edhe trajneri i Montreal Impact.

Edicionin e kaluar në kampionatin MLS, reprezentuesi i Zvicrës shënoi shtatë gola dhe kontribuoi me 12 asistime në 22 paraqitje.