Sezoni aktual në Kosovë, më interesanti i pasluftës Foto: Ilustrim

Sezoni aktual në Kosovë, më interesanti i pasluftës

25 dhjetor 2017 23:05

Sezoni 2017/2018, që nisi në mes të gushtit dhe përfundoi në fillim të dhjetorit, ishte ndër më interesantit pasluftës. Kampion vjeshtor i sezonit të ri u shpall Llapi me 34 pikë, dy më shumë se Prishtina që u rendit e dyta dhe katër më shumë se Drita që përfundoi e treta.

Bie në sy rënia e Trepçës ‘89 që përfundoi vetëm në vendin e shtatë me 27 pikë dhe në shumë raste nuk të linte përshtypjen e kampiones në fuqi. Skuadrat që nuk ia thanë në vjeshtë, ishin Vllaznia e Pozheranit që përfundoi e fundit, Flamurtari që zuri vendin e parafundit dhe Besa që renditet e 10-ta, raporton KTV.

Garë interesante ishte edhe për shënuesin më të mirë. Pas 18 xhirove, Mirlind Daku i Llapit dhe Genc Hamiti i Drenicës ndajnë pozitat 1 dhe 2. Ndërkaq, në vendin e tretë renditet Kastriot Rexha i Dritës.

Sikurse në çdo kampionat tjetër, edhe në këtë edicion nuk munguan problemet financiare në ekipet e Superligës. Besa në ndeshjet e fundit u paraqit me juniorë pasi lojtarët e ekipit të parë i bojkotuan ndeshjet për shkak të mosmarrjes së tri pagave. Probleme të madha pati edhe Vëllaznimi ku futbollistët e skuadrës gjakovare nuk u paguan në tre muajt e fundit. Te kuqezinjtë pati edhe bojkot si dhe dorëheqje të trajnerit Ismet Munishi, i cili u rikthye përsëri. Pa problem nuk kaloi as Drenica, e cila në fund të stinorit vjeshtor u përball me bojkot për shkak të mospagesës së dy pagave të fundit. Për këtë Kryesia e klubit dha dorëheqje dhe futbollistët e përfunduan vjeshtën hatri i tifozëve, por paratë nuk i morën.

Befasia më e madhe ndodhi më 11 dhjetor, ku kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i kërkoi kryetarit të Feronikelit, Ekrem Elshanit dhe kryesisë së klubit që të japin dorëheqje gjë e cila ndodhi. Kryesia e vjetër i liroi lojtarët, por fletëlëshimet u cilësuan të pavlefshme dhe nuk u pranuan nga FFK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme