Sport

Ranieri: Do ta merrja drejtimin e Italisë

Descriptive Text

Trajneri i mirënjohur Italian, Claudio Ranieri ka thënë se do ta pyeste Nantesin që ta linte të lirë nëse do të vinte për të ndonjë ofertë për të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë.

Ish-trajneri i Interit, Romës, Juventusit, Chelseat, Greqisë dhe Leicesterit është njëri prej kandidatëve që mund ta marrë drejtimin e Italisë, transmeton Koha.net.

“Humbja nga Suedia në play-off ishte pothuajse e parashikueshme. Ndoshta ishte edhe punë e Zotit, sepse futbolli italian ka nevojë për reformim”, ka thënë Ranieri për Corriere dello Sport.

Ai ka thënë se duhet ta bëjnë primare kombëtaren italiane, dhe të jetë në qendër të gjithçkaje.

“Duhet ta kthejmë kombëtaren në qendër të gjithçkaje. Sigurisht se të gjithë do të donin ta merrnin drejtimin e kombëtares, por unë jam shumë i lumtur te Nantesi. Nëse do të vinte ndonjë kërkesë, do ta pyesja presidentin që të më lejonte largimin. Megjithatë mendoj se më e rëndësishmja është ta reformojmë FIGC-në, me energji e ide të reja”, është shprehur ai.