Sport

Joshua pret të përballet me Parkerin në mars ose prill

Descriptive Text

Kampioni i botës në peshën e rëndë (WBA dhe IBF), boksieri britanik Anthony Joshua, pret të përballet me kampionin e botës në versionin WBO, zelandezin Joseph Parker në një meç për unifikim të titujve në mars apo prill të vitit të ardhshëm.

Stafi i Joshuas ka qenë në negociata me përfaqësuesit e Parkerit tash e sa kohë për këtë përballje, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Bisedimet janë duke vazhduar në lidhje me ndarjen e përqindjes të të hyrave.

Përfaqësuesit e Parkerit janë pajtuar të marrin 35 për qind nga të hyrat dhe promotori i tij ka thënë se marrëveshja është afër.

“Joseph Parker është shumë realist sa u përket kushteve. Kjo është një përballje që mund të ndodhë në mars apo prill”, ka thënë Joshua 28-vjeçar.

Një meç në këta muaj të përmendur nga Joshua, do të bënte stadiumin “Principality” në Cardiff favorit për të organizuar atë, pasi ka çati dhe një përballje e kësaj përmase për unifikim të titujve padyshim se kërkon një arenë më të madhe sesa ajo me 20 mijë ulëse sa ofron “O2 Arena” në Londër.

Joshua ka mbrojtur titujt e tij të botës në Cardiff në tetor, duke mposhtur me ndërprerje në raundin e dhjetë kamerunasin Carlos Takam. Promotori i Joshuas, Eddie Hearn pas meçit tha se stadiumi në Cardiff mund të bëhet arenë e rregullt e meçeve të Joshuas në vjeshtë e dimër.

Joshua, po ashtu, ka në pronë edhe titullin më pak të njohur atë IBO, por një përballje me Parkerin do të nënkuptonte që fituesi do të kishte tre nga katër brezat më të njohur në boksin profesionist, WBA, IBF dhe WBO... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)