Sport

Xhaka dhe Hadërgjonaj fitojnë, Shaqiri humb

Mesfushori Granit Xhaka ka luajtur gjatë gjithë takimit te Arsenali që mposhti Newcastlen me rezultatin 1:0.

Mesfushori i Zvicrës në fundin e kësaj ndeshje, të zhvilluar të shtunën, u ndëshkua me karton të verdhë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ky duel i ka takuar javës së 18-të të Premier Leagues angleze. Për shkak të lëndimit Arsenalit i mungoi mbrojtësi Shkodran Mustafi.

Gjatë gjithë takimit në fitoren e Huddersfieldit me rezultat të thellë 4:1 ndaj Watfordit, luajti mbrojtësi i krahut Florent Hadërgjonaj.

“Një fitore e merituar për gjithë ekipin e po ashtu edhe për tifozët. Patëm mbështetje të madhe, ndonëse luajtëm si mysafirë. Është një fitore e madhe për gjithë ekipin. Ne duhet të punojmë edhe më shumë për të përfunduar sa më lartë në tabelë. Kundër Watfordit kemi treguar paraqitje të madhe”, ka thënë Hadërgjonaj, njofton “vavel.com”.

Ndërkohë deri në fund të ndeshjes që Stoke City e humbi në shtëpi nga West Ham United me rezultatin 3:0, luajti mesfushori Xherdan Shaqiri.