Sport

Berisha shënon golin e parë të edicionit

Sulmuesi Veton Berisha ka shënuar një gol në fitoren e thellë të Rapid Vjenës ndaj St. Poltenit me rezultatin 5:0.

Berisha të shtunën shënoi në minutën e 54-t për rezultatin 3:0, derisa në minutën e 76-të u largua nga fusha, shkruan sot “Koha Ditore”. Për Berishën 23-vjeçar ishte goli i parë i shënuar këtë edicion në Bundesligë të Austrisë.

“Jam i lumtur që më në fund arrita të shënoja gol në fitoren 5:0 dhe pushimet do t'i nisim me një rezultat të madh. Tashmë do të nisë edhe koha ime. Ka disa ndeshje ku unë kam humbur disa raste shënimi, por koha ishte që unë të shënoja dhe jam i lumtur që e arrita këtë qëllim. Është hera e parë që gjendem në një situatë të tillë, por ndoshta është problemi se unë i kam bërë vetes shumë presion”, ka thënë Berisha për “90minuten.at”.

Të shtunën në kuadër të javës së 20-të të elitës së futbollit austriak luajtën përballë njëri-tjetrit Valon Berisha e Mërgim Berisha. Përballja e skuadrës së Valonit, Red Bull Salzburg dhe asaj të Mërgimit, LASK Linz përfundoi me rezultatin e barabartë, 0:0.