Sport

Giroud mendon të largohet nga Arsenali

Sulmuesi francez, Olivier Giroud, është duke shqyrtuar mundësinë të largohet nga Arsenali në afatin kalimtar të janarit, për të mbajtur të gjalla shpresat që të ftohet te përfaqësuesja e Francës për Botërorin “Rusia 2018”.

Reprezentuesi i Francës ka qenë në listën e shënuesve tek Arsenali në fundjavë, në barazimin 1:1 me Southamptonin, por sërish është detyruar të nisë ndeshjen nga banka rezervë, transmeton “Koha Ditore”. Giroud, 31-vjeçar, me golat e tij po dëshmon aftësitë prej shënuesi që ka, mirëpo ai është i interesuar të luajë titullar.

“Kam Kupën e Botës në mendje çdo javë, gati çdo ditë. Sa herë që futem në fushë mundohem të jem sa më efikas dhe të mbaj veten në garë për Kupën e Botës. Nëse nuk kam qenë në gjendje të largohem në verë, ka qenë për shkak të mundësive që kisha. Por, në janar do t'ia shtroja vetes sërish këtë dilemë”, ka thënë Giroud, përcjell “L'Equipe” të hënën.