Sport

14 vjeç profesionist

Descriptive Text

Ajo që ndodhi në triumfin ndaj Kerasan Prishtinës në IP Superligën e Kosovës në basketboll, te KB Rahoveci po e vlerësojnë si historike. Në fitoren 84:69, të dielën mbrëma në Prishtinë, te Rahoveci në minutat e fundit pati hapësirë edhe për basketbollistin Visar Ejupi.

14-vjeçari debutoi në Superligë dhe gjatë 2 minutave e 24 sekondave në parket pati një kërcim. Te Rahoveci po insistojnë se Ejupi ka shkruar historinë si lojtari më i ri që është aktivizuar në elitë, derisa në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) nuk kanë të dhëna për këtë statistikë, por besojnë në atë që pretendon Rahoveci, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Historike. Visar Ejupi bëhet basketbollisti më i ri nga Rahoveci që në moshën 14-vjeçare, debuton në Superligë. Visari është paraqitur për disa minuta në fitoren ndaj Kerasan Prishtinës, duke bërë historinë jo vetëm për sportin e komunës sonë, por për tërë Kosovën”, thuhet ndër të tjera në postimin e KB Rahoveci në faqen zyrtare të Facebookut, të hënën.

Vetë basketbollisti i ri shfaqet tepër i emocionuar. Ai thotë se nuk ka pritur të aktivizohet me ekipin e parë gjatë këtij edicioni, pasi thjesht ka qenë i kënaqur me mundësinë që i është afruar të stërvitet.

Ejupi prej fillimit të këtij edicioni stërvitet me ekipin e parë, i cili drejtohet nga trajneri Mark Rodiqi. Basketbollisti 197-centimetra i gjatë, krahas stërvitjeve me ekipin e parë, stërvitet edhe me juniorët, kurse luan edhe për ekipet U-16 e U-18 të Rahovecit. Me basketboll ka filluar të merret para tri vjetësh... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.