Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Skënderbeu-Kukësi në Korçë

Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Skënderbeu-Kukësi në Korçë

17 mars 2017 12:41

Sonte, në orën 18:00, në stadiumin e Korçës do të luhet ndeshja mes Skënderbeut dhe Kukësit. Si pasojë policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj. Ndeshja është e vlefshme për Kampionatin e Kategorisë Superiore. Ndërkohë nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe drejtuesve të Klubit Sportiv “Skënderbeu” janë marrë masat për garantimin e zhvillimit normal të kësaj ndeshjeje.

Sipas njoftimit për shtyp nga ana e policisë, shërbimet policore do të rrethojnë gjithë perimetrin përreth Stadiumit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti, dëmtimin e pronës së shtetasve dhe sigurimin e rregullit e lëvizjes së tifozëve “Po ashtu, nuk do të lejohen tregtarët ambulantë në këtë unazë dhe në lulishtet përpara dhe pas stadiumit. Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarrëve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit”, sqaron policia e Korçës. Kjo e fundit ka shtuar se qytetarët që janë pajisur me biletë të marrin masa për paraqitjen në ambientet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” kërkojnë një sjellje korrekte dhe të kulturuar të tifozëve, shmangien e veprimeve që mund të çojnë në konflikte mes tyre dhe cenimin e rendit publik.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme