Xhudoja kosovare shtyn rusët të shfuqizojnë vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Xhudoja kosovare shtyn rusët të shfuqizojnë vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

11 dhjetor 2017 08:33

Ekipi i Kosovës në xhudo, i prirë nga trajneri Driton Kuka, të mërkurën do të marrë rrugë për në St. Petersburg të Rusisë. Më 16 e 17 dhjetor në St. Petersburg të Rusisë mbahet turneu Masters për këtë vit. Kosovën në këtë turne do ta përfaqësojnë xhudistet, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

Dhe ato tashmë janë fitimtare, njëjtë si trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Fitorja e madhe e komunitetit të xhudos është që në St. Petersburg xhudistet do të garojnë me flamur të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vetëm të dielën është bërë e ditur se Kosovës do t'i lejohet paraqitja e barabartë në turneun e madh në qytetin e njohur rus. Kështu është shfuqizuar një vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, që nuk lejonte xhudistët e Kosovës të garojnë për shtetin e tyre në Masters, por kushtëzonte pjesëmarrjen me paraqitje me flamur të IJF-së, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Vendimi mban datën e 5 dhjetorit të këtij viti, dhe kishte bërë që drejtuesit e xhudos në vend të heqin dorë thuajse nga pjesëmarrja në garën e rëndësishme në Rusi. Por në ditët e fundit ka pasur zhvillime të shumta të natyrës politiko-sportive, që kanë shkuar në favor të Kosovës dhe ekipit të saj në xhudo.

Është përfshirë direkt presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, dhe ai të dielën paradite ka njoftuar të parin e xhudos kosovare, Agron Kuka, që Kosovës do t'i mundësohet paraqitja e barabartë. Vizer në fakt llogaritet mik i madh i sportit kosovar, ndërsa Agron Kuka është prej njerëzve të afërm të tij. Autoriteti i Vizerit në sportin ndërkombëtar vlerësohet shumë i madh, dhe ai e ka përdorur atë për të thyer edhe një barrierë për sportin kosovar... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme