Sport

Presidenti i ANOC-ut: Anëtarësimi i Kosovës në ANOC është i merituar

Descriptive Text

Presidenti i Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah ka arritur në Kosovë, ku në Aeroportin e Prishtinës është pritur nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Presidenti i ANOC-ut tha se, “Kosova tashmë është një vend i rëndësishëm, pas pranimit të saj zyrtar si pjesë e organizatës së Komiteteve Olimpike Ndërkombëtare”, gjë që sipas tij dëshmon që sporti në Kosovë është i zhvilluar.

Ai përmendi edhe angazhimin e tij personal në 6 vitet e fundit, për anëtarësimin e Kosovës në ANOC.

“Anëtarësimi i Kosovës në ANOC është i merituar, gjithashtu jam i lumtur që jam këtu për shkak të historisë së këtij vendi. Historia ka treguar se sa krenarë janë njerëzit e këtij vendi. Shpreh konsideratën time për të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje të plotë për këtë çështje. U dëshiroj të ardhme të ndritur, stabilitet dhe sukses për shtetin tuaj”, tha ai.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se është një ditë e veçantë pasi sot po vizitohemi nga një njeri i cili ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në institucione tjera ndërkombëtare, transmeton kp.

“Këta vinë për të na parë se si jemi zhvilluar gjatë këtyre tri viteve dhe shpresoj që t’i tregojmë për arsye se vërtet kemi disa të arritura të jashtëzakonshme që kulmon me medaljen e Majlinda Kelmendit në Rio 2016”, tha ai.

Ata vazhduan takimin në ambientet e Aeroportit për të vazhduar pastaj drejt zyrave të Komitetit Olimpik të Kosovës.