Kosova U17 dhe U19 mëson kundërshtarët për kualifikim në Evropian Foto: Ilustrim

Kosova U17 dhe U19 mëson kundërshtarët për kualifikim në Evropian

06 dhjetor 2017 17:02

Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës sot është hedhur shorti për Kampionatin Evropian 2018/2019 për kombëtaret U-17 dhe U-19 si dhe shorti për rrethin elitë për kombëtaren U-19 për Kampionatin evropian Finlanda 2017-18.

Në tërheqjen e shortit morën pjesë Artan Govori, drejtor për marrëdhënie me jashtë dhe drejtor i ekipeve kombëtare dhe Michael Nees, drejtor teknik.

Në 13 grupet sa janë ndarë ekipet kombëtare U-17, Kosova gjendet në grupin e 5-të bashkë me Skocinë, Zvicrën dhe Qipron, ndërsa ndeshjet janë paraparë të zhvillohen prej 26 shtatori deri më 1 tetor 2018 në Qipro.

Ndërkaq Kosova U-19 është në grupin e 7-të bashkë me Austrinë, Hungarinë dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet zhvillohen prej 10 deri më 16 tetor 2018 në Hungari, transmeton Koha.net.

Meqenëse, Kosova U-19 ishte kualifikuar për rrethin elitë në ndeshjet parakualifikuese në Austri, sot shorti deshi që në rrethin elitë të përfshihet në grup me Portugalinë, Republikën e Irlandës dhe Sllovakinë, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen prej 21 deri më 27 mars 2018, ku vetëm kombëtarja që e zë vendin e parë në grup kualifikohet për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet në Finlandë prej 16 deri më 29 korrik 2018.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme