Kampioni i gjashtëfishtë i botës mbyll karrierën me humbje

Kampioni i gjashtëfishtë i botës mbyll karrierën me humbje

04 dhjetor 2017 12:02

Kampioni i gjashtëfishtë i botës, Miguel Cotto, i ka dhënë fund karrierës së tij 16-vjeçare në boks profesionist të shtunën, me një humbje të pësuar me vendim unanim pas 12 raundeve në New York, nga amerikani Sadam Ali.

Cotto 37-vjeçar kishte paralajmëruar para mbrojtjes së titullit të tij të botës në peshën supervelter në versionin WBO, se meçi me Alin do të ishte i fundit në karrierë.

Por portorikani Cotto, që ka fituar tituj bote në katër kategori të ndryshme, nuk arriti të përballonte shpejtësinë e amerikanit 29-vjeçar Ali.

“Jam mirë dhe dua të jem i lumtur në shtëpinë time me familjen time”, ka thënë Cotto.

Karriera e Cottos në boksin profesionist ka përfunduar me 41 fitore e gjashtë humbje, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ai kishte pësuar një lëndim në bicepsin e majtë në raundin e shtatë të meçit të mbajtur në Madison Square Garden, dhe pati telashe të lërë gjurmë në meç.

Pas 12 raundeve juria vlerësoi luftën 115:113, 115:113 dhe 116:112 në favor të Sadam Ali.

“Ndihem mirë me performancën. Diçka ndodhi në bicepsin tim të majtë, por nuk dua të nxjerr arsyetime, Sadam fitoi meçin”, ka thënë Cotto. “Jam krenar të quaj Madison Square Gardenin si shtëpinë time të dytë. Kam pasur mundësinë të ofroj më të mirën për familjen time, falë sportit të boksit”.

Për Sadam Alin ishte fitorja e 26-të në boksin profesionist (14 KO) karshi një humbjeje sa ka. Është titulli i tij i parë i botës i fituar në boksin profesionist.

“Dua të falënderoj skuadrën e Cottos. Ajo ka pasur mundësi të zgjedhë meç më të lehtë po të kishte dashur”, ka thënë Ali.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme