Sport

Unitedi fiton derbin ndaj Arsenalit

Descriptive Text

Derbi kryesor i javës së 15 në Premier Ligë ndërmjet Arsenalit dhe Manchester Unitedit i ka takuar skuadrës mysafire, 1 me 3, raporton Koha.net.

“Djajtë e Kuq”, shfrytëzuan për mrekulli rastet e krijuara, duke çuar topin në rrjetën e kundërshtarit 3 herë nga 4 goditje brenda kornizës së portës.

Unitedi e nisi për mrekulli takimin duke shënuar dy gola brenda 11 minutave, së pari shënoi Valencia në minutën e 4, kurse epërsinë e dyfishoi Lingard.

Në vazhdim të takimit Arsenali mori dirigjimin e lojës por pa arritur të konkretizojë rastet e shumta të krijuara, për shkak të formës së lartë të portierit të Unitedit, David de Gea, i cili ishte vendimtar në këtë takim.

Me të filluar pjesa e dytë Arsenali arriti të ngushtojë epërsinë përmes Lacazettes, që shënoi në minutën e 49 pas asistimit nga Ramsey.

Dhe kur u mendua se Arsenali do të arrijë të barazojë shifrat, Unitedi shfrytëzoi rastin për mrekulli në minutën e 63 për ta çuar rezultatin në 1 me 3. Ishte përsëri Lingard ai që shënoi golin e tretë pas asistimit nga Pogba, i cili në minutën e 74 u përjashtua me të kuq.

Pas kësaj fitore Unitedi arrin në kuotën e 35 pikë, 5 më pak se lideri Manchester City, përderisa Arsenali në pozitën e pestë ka 28 pikë.