Sport

Pas shumë problemeve Përfaqësuesja e Kosovës mbërrin në Hungari

Federata e Basketbollit të Kosovës ka konfirmuar se Përfaqësuesja e Kosovës ka mbërritur në qytetin hungarez, Debrecen, por jo pa probleme.

Kosova, të dielën në ora 19:00, do të luajë kundër Hungarisë në kuadër të Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, transmeton Koha.net.

“Delegacioni i Përfaqësueses së Kosovës është dashur që të shtunën në orët e hershme të mëngjesit të udhëtojë për në Vjenë dhe më pas në Budapest, por që ky fluturim nga Aeroporti i Prishtinës ishte anuluar për shkak të mjegullës së dendur, dhe e vetmja zgjidhje ka qenë që të udhëtohet në mesditë nga Aeroporti i Shkupit për në atë të Budapestit dhe më pas edhe për disa orë me autobus për në Debrecen”, thuhet në konfirmimin e FBK-së, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye Përfaqësuesja është dashur ta anulojë stërvitjen e planifikuar për të shtunën mbrëma në mënyrë që të pushojë sa më shumë, derisa stërvitjen e parë dhe të vetme para ndeshjes me Hungarinë do ta zhvillojë të dielën me fillim nga ora 11:00.

Përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg beson se basketbollistët e tij do të rikuperohen për përballjen me hungarezët pavarësisht kësaj dite të gjatë dhe të mundimshme.

“Janë këto gjëra të paparashikueshme të cilat mund të na ndodhin ne, por edhe të tjerëve, andaj edhe duhet të pajtohemi me këtë. Sidoqoftë ne do të përpiqemi të pushojmë sa më mirë dhe në mënyrë që të dalim të dielën në fushë sa më të përgatitur si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik”, ka deklaruar Greenberg.

Duhet theksuar se Përfaqësuesja e Kosovës të premten mbrëma ka qenë nikoqire e Lituanisë, nga e cila kombëtare është mposhtur me rezultat 61:99.

“Përfaqësuesja po luan në mungesë të Erjon Kastratit që është një hendikep shumë i madh duke e ditur se ai është ndër lojtarët kyç të skuadrës sonë. Kastrati është lënduar në ndeshje me ekipin e tij slloven, një ditë para se t'i bashkohet Përfaqësueses sonë në grumbullimin e përbashkët”, thotë FBK.