Sport

Carragher kritikon ashpër Liverpoolin për paraqitjen ndaj Sevillës

Legjenda e “Të Kuqve”, Jamie Carragher ka kritikuar ashpër paraqitjen e Liverpoolit ndaj Sevillës.

Liverpool ka lëshuar nga duart një fitore që do t’i kualifikonte direkt nga vendi i parë në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampionëve, pasi që nga avantazhi 3:0 që kishte në pjesën e parë, u desh të kënaqej në fund me një pikë pas barazimit të Sevillës në 3:3.

I pakënaqur me këtë paraqitje të ish-skuadrës së tij, është shprehur Jamie Carragher i cili i ka krahasuar lojtarët Liverpoolit me një grup fëmijësh, transmeton KP.

“Frustrohem kur e shoh atë pjesë të dytë. Në pikëpyetje ishte nëse mbrojtja e Liverpoolit do të mund të përballonte atmosferën brenda stadiumit në Sevilla. Në fillim mendova se jo, por kurrë nuk do ta besoja se ata do të luanin kaq keq, sidomos në pjesën e dytë”, thotë Carragher.

“Nuk e prisja që Liverpooli ta mbante portën e paprekur, por të jesh në avantazh prej 3:0 dhe të lejosh gola të tillë, ishte sikurse të shikonim një ndeshje fëmijësh”, ka përfunduar ai.