Sport

Ujkani: Kosovës i duhet disiplinë dhe kushte të mira

Kapiteni dhe portieri i Kosovës, Samir Ujkani, komentoi edicionin e parë të eliminatoreve për këtë kombëtare.

Për Supersport, portieri kosovar tregoi se kishte mbetur pjesërisht i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, në edicionin e parë, ku veçoi se kundërshtarët ishin të një niveli shumë të lartë.

“Mendoj se kemi bërë një fushatë të mirë eliminatore, edhe pse munguan rezultatet. Jemi një skuadër e re, pa eksperiencë, por janë futbollistë shumë te talentuar. Jemi skuadër e re dhe në moshë, imagjinoni qe unë jam me i vjetri i kësaj skuadre, ndërsa shumë talente të tjera janë në ekipet e moshave”, tha Ujkani.

Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në futboll, vlerësoi punën e ish trajnerit Bunjaku, ndërsa tregoi edhe kushtet që duhen për të arritur te suksesi.

“Mendoj se në vijim skuadra do ketë mundësi të rritet. Trajneri Bunjaku e kreu detyrën e tij, tani trajneri i ri duhet të vendosë më shumë disiplinë, ashtu sikundër presim, që edhe kushtet të përmirësohen, sepse nuk kemi ende një stadium, nuk kemi kushte e mjaftueshme, që vit pas viti do përmirësohen. Jam optimist se në pak vite, skuadra do të bëjë përpara”, deklaroi Ujkani.