Sport

Historia prekëse e familjes që ngriti Granit Xhakën

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka në një intervistë të veçantë për gazetën e njohur “The Guardian” ka folur për jetën e tij dhe vështirësitë që ka pasur familja e tij.

Në këtë intervistë Xhaka 22-vjeçar ka folur për burgosjen e babait të tij, Ragipit, pasi mori pjesë në demonstratat kundër regjimit serb në Kosovë.

“Për aq sa di, muajt e tij të parë në burg ishin në rregull”, ka thënë Xhaka. “Por pastaj filluan rrahjet.

“The Guardian” shkruan se krimi i Ragip Xhakës ishte pjesëmarrja në demonstrata, për të cilat ai u dënua me gjashtë vjet burgim. Babai i Granitit kishte ndarë qelinë me katër të burgosur dhe i lejohej të dilte jashtë një herë në ditë – veç 10 minuta.

“Si djalë i tij, historia më prek shumë – me të vërtetë është në zemrën time. Për ta përshkruar siç duhet babanë tim – duhet ta njihni në thellësi. Është tragjike. Shpesh e pyes: ‘Tregoma edhe një herë historinë’, por mendoj se asnjëherë nuk ma ka treguar të tërën. Ka pasur momente heshtje në të cilat e ndjeja sikur ai ka përpirë diçka dhe nuk po e thotë të vërtetën. Ndoshta kishte shumë dhe donte të kursente fëmijët nga vuajtja”, thotë Granit Xhaka.

“Ai është kosovar krenar dhe mendonte se kishin të drejtat për ekzistencë. Ai u ngrit për të drejtat e tyre dhe ishin të drejta demokratike, të nevojshme, siç është e drejta për votë. Nuk ishte vetëm ai. Kishte edhe plot të tjerë që u arrestuan, përfshinë axhën e tij, i cili u burgos pak vjet më herët. U dënua me 15 vjet. Ishte vendim politik. Babai im pyeste: ‘Përse nuk kemi demokraci këtu? E meritojmë demokracinë. E meritojmë të dëgjohemi’”, tregon Xhaka për historinë e babait të tij.

“The Guardian” shkruan se për ta kuptuar Xhakën, duhet kuptuar familja e tij; vuajtjet e saj dhe punën e palodhshme për të tejkaluar vështirësitë. Princip për Xhakën janë besnikëria dhe respekti. Kur ia mësyn për diçka apo për dikë, ai e bën me trup e shpirt – si babai i tij dhe nëna, Eli, transmeton Koha.net.

“Njëri prej detajeve për prindërit e mi është se ata u bënë bashkë tre muaj para arrestimit të babait”, tregon Xhaka. “Kam respekt të madh për nënën time. Kurrë nuk kam dëgjuar për një grua që bëhet bashkë me një burrë për tre muaj – në moshë të re – pastaj e pret atë për tre vjet e gjysmë. Nëna ime është person i jashtëzakonshëm”.

“Njëra prej gjërave të çuditshme është se ne kurrë nuk e dimë se përse babai u lirua më herët nga burgu, por ai u lirua në të njëjtën kohë me xhaxhanë e itj. Askush prej familje nuk dinte për këtë deri në momentin kur u shfaqën në derë të shtëpisë. Besoj se ata e bën me pakt që të respektojnë rregullat e burgut, ta mbajnë gojën e mbyllur dhe të mos shkaktojnë probleme. Kjo është arsyeja përse u liruan sepse menduan: ‘Nuk kemi problem me ata’. Por nuk jam i sigurt për këtë gjë”, tregon Xhaka.

Gazeta e njohur britanike shkruan se prindërit e Granit Xhakës e dinin që u duhet një fillim i ri dhe në vitin 1990 ata emigruan në Zvicër. Djali i parë, Taulanti, lindi në Bazel në vitin 1991, ndërsa Graniti 18 muaj më vonë. “The Guardian” për Taulantin shkruan se është mesfushori kyç te Baseli.

“Babai im tregoi forcë të pabesueshme dhe unë me Taulantin u rritëm me mentalitetin e tij”, thotë Xhaka. “E kishim këtë idol, këtë rol model, i i cli na mësoi se duhet të jemi të fortë për të arritur gjërat. Kështu, ne u rritëm shumë të fortë. Kjo është arsyeja se përse ne në fushë shfaqim mentalitet të fuqishëm për të arritur ato që duam”

Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka në një intervistë për The Guardian ka rrëfyer edhe për takimet e tij me shqiptarët në Londër, për të cilët thotë se janë njerëz vërtetë të mirë.

Përderisa tregon për historinë e familjes së tij, dhe torturimet që babai i tij i kishte përjetuar në ish-Jugosllavi, ai thotë se nuk do ta harrojë kurrë Kosovën dhe rrënjët e tij shqiptare, transmeton Koha.net.

Gjatë fotosesionit për këtë intervistë në Guardian në Camden Town, kaloi një shqiptar, që pothuajse u rrëzua në kanal kur e njohu Xhakën. Ai u gëzua kur Xhaka e përshëndeti në gjuhën shqipe.

“Kam gjetur këtu vërtetë disa shqiptarë shumë të mirë. Disa prej tyre kanë autolarje dhe makinën time e dërgoj aty. Bisedojmë, sigurisht më shumë për futbollin. Disa prej tyre janë fansa të Liverpoolit, disa të Unitedit, por ka edhe shumë fansa të Arsenalit. Ka shumë shaka dhe garë”, është shprehur Xhaka.