Sport

Xhaka rrëfen shakatë me shqiptarët në autolarjet në Londër

Descriptive Text

Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka në një intervistë për The Guardian ka rrëfyer edhe për takimet e tij me shqiptarët në Londër, për të cilët thotë se janë njerëz vërtetë të mirë.

Përderisa tregon për historinë e familjes së tij, dhe torturimet që babai i tij i kishte përjetuar në ish-Jugosllavi, ai thotë se nuk do ta harrojë kurrë Kosovën dhe rrënjët e tij shqiptare, transmeton Koha.net.

Gjatë fotosesionit për këtë intervistë në Guardian në Camden Town, kaloi një shqiptar, që pothuajse u rrëzua në kanal kur e njohu Xhakën. Ai u gëzua kur Xhaka e përshëndeti në gjuhën shqipe.

“Kam gjetur këtu vërtetë disa shqiptarë shumë të mirë. Disa prej tyre kanë autolarje dhe makinën time e dërgoj aty. Bisedojmë, sigurisht më shumë për futbollin. Disa prej tyre janë fansa të Liverpoolit, disa të Unitedit, por ka edhe shumë fansa të Arsenalit. Ka shumë shaka dhe garë”, është shprehur Xhaka.